Pesë parti politike janë përjashtuar nga pjesëmarrja në zgjedhjet ardhshme parlamentare të 2021, pasi nuk kanë kthyer paratë që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga buxheti i shtetit, për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Partitë e përjashtuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë Partia Aleanca Arbnore Kombëtare me kryetar Gjet Ndoj, i cili nuk ka shlyer detyrimin prej 441.688 lekësh, Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet me kryetar Gaqo Apostoli, i cili nuk ka shlyer detyrimin prej 514.910 lekësh, Partia e Pajtimit Kombëtar me kryetar Spartak Bodi, i cili nuk ka shlyer detyrimin prej 162.500 lekësh, Partia Demokrate për Integrim dhe Prosperitet me kryetar Kujtim Muça, i cili nuk ka shlyer detyrimin prej 162.500 lekësh si dhe Partia Kombëtare Konservatore Albania me kryetar Kujtim Gjuzin, i cili nuk ka shlyer detyrimin prej 162.500 lekësh.

Përveç përjashtimit nga zgjedhjet e ardhshme, këto pesë parti nuk do të përfitojnë asnjë lekë nga buxheti i shtetit për pesë vitet e ardhshme. Çfarë ka ndodhur? KQZ u jep partive para paradhënie që të përballojnë fushatën zgjedhore. Që të përfitojë para nga buxheti i shtetit, një parti duhet të marrë jo më pak se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi.
KQZ përllogarit shumën që i takon secilës parti, duke shumëzuar vlerën në para të një vote të vlefshme, me numrin e votave të vlefshme që ka marrë secila parti në zgjedhje e fundit. Por, sipas ligjit zgjedhor, nëse partitë marrin me pak se 0,5 për qind të votave në zgjedhjet radhës për të cilat kanë marrë paratë ose marrin më pak vota se sa në zgjedhjet paraardhëse, duhet të kthejnë diferencën e parave.

Sipas nenit 87, pika 8 të Kodit Zgjedhor, partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse, brenda 90 ditëve, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. Pesë partitë e sipërpërmendura nuk kanë kthyer paratë brenda afatit të parashikuar në ligjin zgjedhor. Ndërkaq, partitë që marrin më shumë vota se sa kanë përfituar para paradhënie, do të marrin para shtesë nga KQZ për çdo votë që kanë marrë më shumë